(22nd September, 2009)
SISTEMI I QARKULLIMIT TE GJAKUT
Sistemi i qarkullimit të gjakut përbëhet nga zemra, gjaku dhe enët e gjakut (arteriet, kapilarët dhe venat).
Funksioni kryesor i ’sistemit të qarkullimit të gjakut‘ është furnizimi me gjak i të gjithë organizmit. Zemra, e cila është organi qëndror në këtë sistem, funksionon si një pompë e cila rreh pandërprerë për të shpërndarë gjakun në të gjithë skajet e organizmit. Enët e gjakut formojnë një qark të mbyllur që fillon dhe përfundon në zemër. Ky qark funksion si një rrjet transporti që me udhet e tij furnizon me gjak të gjitha organet dhe indet e organizmit.
Furnizimi me gjak kryet përmes arterieve të cilat e shpërndajnë gjakun nga zemra në drejtim të organeve dhe indeve. Grumbullimi i gjakut ‘të përdorur’ nga organet dhe indet dhe transportimi i tij drejt zemrës kryet nga venat. Midis venave dhe arterieve, në brendësi të organeve dhe indeve, shtrihen kapilarët. Kapilarët janë enë shumë të vogla me mure tejet të holla, të cilat mundësojnë shkëmbimin e lëndëve ushqimore, mbetjeve metabolike dhe gazrave midis qelizave dhe gjakut.
Në vazhdim do të shpjegohen më në detaj disa nga karakteristikat kryesore të zemrës dhe enëve të gjakut.
Zemra
Zemra zë vendin kryesor në sistemin e qarkullimit të gjakut. Ajo është një organ muskulor sepse muret e saj përbëhen kryesisht nga muskuli kardiak, i cili quhet ‘miokard‘. Miokardi ka aftësi të kontraktohet mesatarisht rreth 60 deri në 100 herë në minutë.
Zemra është e ndarë në katër dhoma: dy veshore dhe dy barkushe. Veshoret gjenden në pjesën e sipërme të zemrës, ndërsa barkushet në pjesën e poshtme të saj. Kontraktimi i zemrës është ritmik dhe ndodh në mënyrë të koordinuar. Gjaku vërshon nga venat në veshore, nga veshoret në barkushe dhe nga barkushet në arterie.
Arteriet
Arteriet janë enë gjaku të cilat furnizojnë me gjak të pasur me oksigjen dhe lëndë ushqyese të gjitha indet e organizmit. Arteriet ndahen në tre kategori: arterie elastike, arterie muskulare dhe arteriolat.
Kapilarët
Kapilarët janë enët e gjakut më të vogla që gjenden në organizëm. Kapilarët formojnë rrjeta kapilare të cilat përshkojnë të gjitha indet e organizmit. Diametri mesatar i tyre shkon nga 8 deri në 10 mikrometra. Gjatësia mesatare është 1 milimetër. Kapilarët përbëhen nga mure tejet të hollë që lejojnë shkëmbimin e gazrave (p.sh. oksigjeni) dhe të lëndëve ushqyese (p.sh. glukoza) nga gjaku drejt qelizave dhe e anasjellta.
Venat
Funksioni kryesor i venave është grumbullimi i gjakut ‘të përdorur’ nga indet e organizmit dhe transportimi i tij sërish drejt zemrës. Proçesi i grumbullimit të gjakut fillon aty ku kapilarët bashkohen me njëri-tjetrin për të formuar enë më të mëdha gjaku që quhen venula postkapilare. Venulat postkapilare bashkohen gjithashtu me njëra tjetrën duke formuar kështu vena. Në krahasim me arteriet, venat kanë diametër më të madh dhe mure më të holla. Si pasojë venat janë të afta të grumbullojnë dhe transportojnë sasi të mëdha gjaku. Mesatarisht rreth 65% e gjakut që qarkullon në organizëm gjendet në vena. Për këtë arsye venat i kanë quajtur ndryshe ‘rezervuarë të gjakut’ .