Semundja e diabetit

(13th September, 2010)

Foto Diabetes-Mellitus
Semundja e diabetit  | read this item

DIABETI MELITUS (DM)

Diabeti melitus është termi mjekësor që përdoret për sëmundjen e diabetit.
Sëmundja e diabetit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga sasi të larta (mbi normë) të glukozës në gjak. Përqëndrimi i lartë i glukozës në gjak quhet hiperglicemi. Në gjuhën popullore diabeti melitus njihet si sëmundja e sheqerit.

Në të gjithë botën vuajnë rreth 180 miljon njerëz nga sëmundja e diabetit. Ky numër pritet të dyfishohet në vitin 2030.

GLUKOZA
Glukoza është burimi kryesor i energjisë për organizmin e njeriut. Ajo hyn në organizmëm përmes ushqimit në formën e karbohidrateve. Karbohidratet janë substanca organike të cilat gjenden me shumicë në pjesën më të madhe të ushqimeve të konsumit të përditshëm si në bukë, makarona, patate, oriz, por dhe në produktet e ëmbla si reçeli, limonatat, biskotat, tortat etj..
Karbohidratet që gjenden në produktet ushqimore përbëhen kryesisht nga molekulat glukozë, fruktozë dhe galaktozë. Këto molekula njihen si monosakaride. Kur ushqimi arrin në aparatin tretës enzimat e stomakut dhe zorrëve i shpërbëjnë karbohidratet në monosakaridet fillestare; glukozë, fruktozë dhe sakarozë.

Përse e rrit sheqeri sasinë e glukozës në gjak?
Sheqeri i tavolinës, i cili prodhohet nga panxhari i sheqerit, përbëhet  nga karbohidrati i quajtur sukrozë ose sakarozë. Karbohidrati sakarozë përbëhet nga një molekulë fruktozë dhe një molekulë glukozë. Në aparatin tretës enzimat e shpërbëjnë sheqerin në dy molekulat e tij fillestare, glukozë dhe fruktozë. Këto molekula përthithen më pas në gjak dhe transportohen në mëlçi. Për këtë arsye konsumimi i tepërt i produkteve me përmbajtje të lartë sheqeri rrit me shpejtësi sasinë e glukozës në gjak.
Është e rëndësishme të theksohet se konsumi i sasive të mëdha të sheqerit nuk çon domosdoshmërisht në zhvillimin e sëmundjes së diabetit.

INSULINA
Jo të gjithë personat që konsumojnë sasi të larta karbohidratesh vuajnë nga sëmundja e diabetit. Diabeti shfaqet atëherë kur trupi i njeriut nuk arrin të normalizojë sasinë e tepërt të glukozës në gjak. Ruajtja e përqëndrimit të duhur të glukozës në organizëm kryet përmes insulinës. Insulina është një hormon i cili prodhohet nga qelizat beta (β) në organin e pankreasit. Ajo stimulon absorbimin e glukozës nga qelizat e trupit të njeriut. Këto qeliza e përdorin glukozën për të prodhuar energjinë që u nevojitet. Sasi të larta të glukozës në gjak stimulojnë prodhimin e insulinës e cila mundëson uljen e glukozës në vlerat normale. Kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur organizmi i njeriut nuk reagon si duhet ndaj insulinës atëherë është prishur mekanizmi fiziologjik i rregullimit të përqëndrimit të glukozës.

PASOJAT
Përqëndrimi i lartë i glukozës në gjak ka efekte negative në shëndet sepse dëmton ndër të tjera enët e gjakut dhe indet nervore. Këto dëmtime mund të shoqërohen me shqetësime si kruajtje, pakësim i ndjeshmërisë së gjymtyrëve, përkeqësim shikimi, dhimbje gjoksi, probleme të ecjes, renie të aktivitetit seksual etj. Trajtimi i përshtatshëm dhe në kohën e duhur të diabetit e zvogëlon ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të këtyre pasojave.

Diabeti mund të egzistojë në dy forma të ndryshme, diabeti i llojit të parë dhe të dytë.

  • Diabeti i llojit të parë (1) është formë e diabetit melitus që shfaqet përgjithësisht në fëmijëri. Kjo formë prek rreth 5% të pacientëve me diabet dhe karakterizohet nga mungesa absolute e insulinës. Kjo vjen nga shkatërrimi i qelizave të pankreasit si pasojë e një sëmundjeje imunitare.
  • Diabeti I llojit te dytë (2) është forma më e zakonshme e diabetit melitus sepse prek rreth 95% të pacienteve që vuajnë nga diabeti. Kjo formë karakterizohet nga sasi të pakta të insulinës në gjak dhe nga rezistenca e qelizave të mëlçisë, të muskujve dhe atyre dhjamore ndaj efekteve të insulinës. Kjo formë shfaqet përgjithësisht pas moshës 40 vjeç dhe për këtë arsye quhet edhe diabeti i pleqërisë.

DIAGNOSTIKIMI
Për të përcaktuar nëse dikush vuan nga sëmundja e diabetit duhet kryer matja e glukozës në gjak në gjëndje esëll.

SIMPTOMAT
Në fillimet e sëmundjes së diabetit të llojit të dytë ose kur sasia e glukozës në gjak nuk është shumë e lartë mungojnë simptomat specifike. Kur sasia e glukozës në gjak është shumë e lartë mund të shfaqen shqetësime si:

  • etje e tepruar që shoqërohet me gjuhë dhe gojë të tharë,
  • urinim i shpeshtë,
  • lodhje e shpejtë.

Shqetësime të tjera janë kruajtja, plagë që nuk shërohen shpejt ose infeksione të lekurës.

PARANDALIMI
Është e rëndësishme që pacientët diabetik të kenë një stil të shëndetshëm jetese. Kjo do të thotë:

  • Të ndërpritet plotësisht pirja e cigares.
  • Ushqimi të konsumohet rregullisht në vaktet përkatëse.
  • Ushqim të përmbajë më shumë fibra, pak yndyrna, pak kripë, dhe pak sheqer.
  • Të mos pihen më shumë se dy gota alkol ne ditë.
  • Të pakësohet (evitohet) mbipesha.

BARNAT

Barnat orale (që merren nga goja) për uljen e glukozës në gjak:
Barnat që renditen më poshtë stimulojnë pankreasin të prodhojë më shumë insulinë. Për këtë arsye ato mund të përdoren vetëm nga pacientët me diabet të llojit të dytë, pra nga ata që ende prodhojnë insulinë. Një pjesë e tyre ndikon gjithashtu pozitivisht në rritjen e ndjeshmërisë së organeve përkatëse ndaj efekteve të insulinës.

  • Derivatet e sylfonylureum (p.sh. glibenklamide), stimulojnë pankreasin të prodhojë më shumë insulinë.
  • Biguanidet (p.sh. metformina) rritin ndjeshmërinë e mëlçisë dhe organeve të tjera ndaj efekteve të insulinës dhe pakësojnë urinë (dëshiren për të ngrënë). Nga ky grup medikamentesh në Shqipëri përdoret vetëm metformina.
  • Analogët e metiglinides stimulojnë pankreasin të prodhojë më shumë insulinë. Efekti i këtyre barnave është më i shkurtër se i derivateve të sylfonylureum, për këtë arsye kombinohen shpesh herë me barna të tjera. Repaglinide është një nga barnat e këtij grupi.
  • Glitazonet përmirësojnë absorbimin e glukozës nga qelizat e trupit. Kjo bën që të bjerë niveli i glukozës në gjak. Në barnat e këtij grupi hyjnë roziglitazoni dhe pioglitazoni.
  • Akarboza është bllokues i alfa-glukozidazës. Ky medikamet ngadalëson degradimin e karbohidrateve në aparatin tretës dhe absorbimin e menjëhershëm të glukozës në gjak. Në këtë mënyrë evitohet rritja e menjëhershme e përqëndrimit të glukozës në gjak.

INSULINA
Insulina
përdoret në formën e injeksioneve nga të dy grupet e pacientëve me diabet. Personat që vuajnë nga diabeti i llojit të parë, pankreasi i të cilëve nuk prodhon fare insulinë, janë të detyruar të zëvendësojnë mungesën e saj me injeksione të rregullta sipas udhëzimeve të mjekut. Edhe ata persona të cilët prodhojnë insulinë, por jo mjaftueshëm për të ruajtur përqëndrimin e glukozës në gjak, mund të përdorin insulinë në ato raste kur barnat orale nuk japin më efektin e dëshiruar.

Egzistojnë disa forma insuline; insulinë me veprim të shkurtër, mesatar dhe të gjatë. Në disa raste preferohet kombinimi i këtyre formave. Vendi i injektimit ndikon gjithashtu në kohëzgjatjen e fillimit te veprimit; bark (shpejt), pjesën e sipërme të krahut (ngadalë), pjesen e sipërme të këmbës (akoma më ngadalë).

HIPOGLICEMIA
Gjatë trajtimit të diabetit me barnat përkatëse mund të ndodhë që sasia e glukozës në gjak të bjerë nën normën e lejuar. Arsye mund të jetë mbipërdorimi i barnave që kanë si efekt uljen e sasisë së glukozës në gjak, si p.sh. insulina.
Hipoglicemi quhet pikërisht gjëndja kur sasia e glukozës në gjak ka rënë nën normën e lejuar. Hipoglicemia shoqërohet me simptoma të vecanta dhe trajtimi i saj bëhet me glukagon.

SYMPTOMAT E HYPOGLICEMISË

  • Dridhje
  • Djersitje
  • Dhimbje koke
  • Turbullim i shikimit
  • Rrahje zemre
  • Uri

GLUKAGONI
Glukagoni
çliron në gjak glukozën e cila ruhet si rezervë në mëlçi dhe stimulon gjithashtu trupin të prodhojë sasi të reja glukoze.

Readers Comments

  1. Jan says:

    Well done Teuta!
    Best wishes, Jan